Nëse do të vlerësohej si duel personal, atë e fitoi Luka Donçiç, por Nikola Jokiç ishte në skuadrën fituese, dhe madje shënoi koshin vendimtar. Ky ishte përfundimi i duelit europian në NBA, mes sllovenit dhe serbit, që përfundoi me suksesin e Denverit, 100-99, ndaj Dallasit. U luajt në fushën e Denverit, por vendasit e patën tepër të vështirë, edhe pse skuadra mike erdhi shumë e lodhur nga udhëtimi i vonshëm, për shkak të motit të keq.
Donçiç shënoi 24 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 9 asiste, duke mbetur vetëm një asist larg një tripëll dabëlli. Ylli 19-vjeçar slloven bllokoi dhe dy gjuajtje të kundërshtarëve, por gaboi shumë në gjuajtjet për tri pikë, si dhe humbi gjuajtjen e lirë pranë fundit, që mund ta kishte ndihmuar Dallasin për të shkuar të paktën në shtesë.
Jokiç ishte më pak impresionues, edhe pse fitoi. Lojtari serb shënoi vetëm 11 pikë, por kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë. Edhe ai ishte pranë një tripëll dabëlli, ndërsa u ndihmua nga shokët si Millsap (që shënoi 33 pikë), Bizli, Marrej apo Barton. Denveri mbetet i dyti në Konferencën Perëndimore në NBA, ndërsa Dallasi është shumë prapa, në vend të parafundit.
Sfidanti.al