Vetëm kur vjen Derbi, ringjallim “yjet” e brezave të harruar

Sa herë që afron Derbi, Tirana-Partizani, sepse na duket sikur edhe kampionati është më i bukur, më i besueshëm, dhe më i ndezur. Të paktën kështu të bëhet kur ndjek ekranet dhe lexon gazetat. Tollombaci i derbit fryhet shumë, si për të kompensuar një garë që krenohet më shumë për rivalitetin në pikë, sesa për cilësinë e ngjarjeve. Kur vjen derbi, kujtohemi edhe për brezat që kanë luajtur me keto dy ekipe, duke i shtrënguar të përflakin më tej  “ndeshjen e vitit”.  E hidhur, por tepër e vërtetë, flasin “yjet” e dikurshëm, për brezin pa shkëlqim me yje të derbit.

Është fat ironik, ndofta ta dikton futbolli i sotëm, i cili nuk ka shumë kujtesë, që dhuron pak mirënjohje, kur shikon se futbollistët e brezave të atëhershën, ngjallen vetëm për intervista për të ndezur sa më shumë motorin e ndeshjes që njoftohet me bujë. Flet Kola për Tiranën, flet edhe Ylli Shehu për Partizanin. Nuk ndodh e kundërta, që futbollistët e sotëm të dinë më shumë për parardhesit që i dhanë jetë derbit, ata që kontratën më fisnike e kishin me publikun dhe jo me presidentin. Brezi i Mingës dhe i Gim Muratit, dy sulmues të thekur para portës, kur humbisnin betejën, aplikonin vetëdënimin, duke u privuar nga dalja publike, ndryshe nga brezi i sotëm, i llastuar, sa nuk mungon edhe rasti, kur perjetojnë  fitoren dhe humbjen, sikur të kenë të njëjtën shije.

Sfidanti.al