Një Champions i çmendur, pas Ajaksit ja edhe Mançester Junajtid!

Ata që menduan se u çmendën nga “kataklizmoja” e Ajaksit në “Santiago Bernabeu”, do të jenë menduar dy herë, pasi ndoqën mrekullinë e radhës së Ligës së Kampionëve. Mançester Junajtid, një klub i madh, por i mundur 2-0 në shtëpi, përmbysi favoritin Paris SG, brenda në Francë, duke u kualifikuar për në çerekfinale, edhe pse i mungonin plot 10 futbollistë.

Ole Gunar Solskjeri e realizoi përmbysjen që besonte dhe premtonte (se do ta synonte), dhe padyshim që tani ka hyrë në historinë e klubit anglez, dhe në zemrën e tifozëve të tij. i mbiquajturi “vrasësi me fytyrë fëmije”, ish-sulmuesi norvegjez, po “sulmon” tani në rolin e trajnerit, dhe nuk do të jetë asnjë çudi që ai të pretendojë dhe të synojë vetë fitoren e Championsit!

Përse të mos e bëjë, pasi Junajtidi përballoi sfidën e Juventusit në grup (me Murinjon në stol), pasi arriti zonën Champions në Premier Ligë, dhe pasi eleminoi Paris SG? Ia doli përballë një ekipi me shumë më tepër cilësi, dhe me shumë më pak mungesa. Ia doli përballë “fëmijës së tmerrshëm” Kilian Mbape, ndërsa sheikët e PSG-së kuptuan se historinë ende nuk kanë mundur ta blejnë plotësisht me miliardat e tyre.

Romelu Lukaku shënoi që në minutën e dytë pas gabimit të mbrojtësit vendas, Kehrer. Në minutën e 12-të, Huan Bernat më i miri i francezëve barazoi rezultatin, por pa kaluar 18 minuta të tjera, erdhi gabimi i Bufonit, që ndihmoi Lukakun të shënojë golin e dytë. Pas pushimit, parizienët ishin më lart dhe goditën shtyllën, por ndeshja mbeti e hapur, dhe në minutën e parë shtesë, Kimpembe preku topin me dorë, e gjyqtari slloven, Skomina, dha penallti.

VAR-i konfirmoi mendimin e tij, dhe Markush Rashford përballoi presionin duke ekzekutuar saktë 11-metërshin që kualifikoi Mançester Junajtidin. Një përmbysje ndoshta më e madhe sesa ajo e skuadrës së Sër Aleks Fergusonit (që ishte në stadium) në 1999 ndaj Bajernit, dhe e krahasueshme me përmbysjen e madhe të vetë Bajernit ndaj Interit të Milanos në 1988 në Kupën UEFA, po me shifrat 3-1 në fushë kundërshtare, pasi ishte mundur 0-2 në Mynih.

Sfidanti.al