Premier Liga kuqeblu, fitojnë dhe kryesojnë dy Mançesterët

Të kuptoheni, kreu i Premier Ligës është për Sitin, por edhe hyrja në zonën Champions është një “kryesim” në vetvete për Junajtidin. Kampionët patën nevojë për një zëvendësues të madh si Rijad Mahrez, për të fituar 1-0 në fushën e Bornmuthit, një tjetër ndeshje të vështirë që i ngjiti përkohësisht në vendin e parë. Djemtë e Guardiolës kanë 71 pikë ndaj 69 të Liverpulit, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij.

Mançester Junajtid e pati dramë ndaj Sauthemptonit, edhe pse dueli u luajt në “Old Traford”. i shumëkritikuari Romelu Lukaku tregoi se përse Zhoze Murinjo e vlerësonte aq shumë, dhe bindi trajnerin Solskjer se vlen për të qenë në formacion. Sulmuesi belg shënoi dy gola, në minutat 59 e 89 për fitoren e vështirë, por tepër të rëndësishme 3-2. Miqtë shënuan të parët me anë të Valerit, pastaj produkti i akademisë Andreas Pereira barazoi, Lukaku kaloi “djajtë e kuq” në epërsi, por Uord-Prause barazoi në 75’. Lukaku shënoi golin vendimtar një minutë para fundit, ndërsa në sekondat shtesë, Pol Pogba humbi penallti.

Barazimi 1-1 në derbin e Londrës së Veriut, mes Totenhemit dhe Arsenalit, bëri që Junajtid të ngjitej në vend të katërt me 58 pikë ndaj 57 të Arsenalit, ndërsa Totenhemi i vendit të tretë nuk është larg, me 61 pikë.

Sfidanti.al