Trajneri i Borusias së Mynshengladbahut, Diter Heking, e kishte të qartë se çfarë e priste. Vetëm një mrekulli e mbinatyrshme, më saktë një fat i madh, mund ta shpëtonte nga “druri vendçe” që do t’i jepte Bajerni i Mynihut. Edhe pse dueli i Bundesligës luhej në fushën e Gladbahut, disfatat e mëparshme në shtëpi, 0-3 me Hertën dhe po kaq me Volfsburgun, e parathonin fundin.
Ashtu edhe ndodhi, Bajerni fitoi 5-1 dhe mbërriti Dortmundin në krye të renditjes, me nga 54 pikë secili ekip, por me Borusian me një golaverazh thjesht +2 më të mirë (58-27 ndaj 56-27). Duket se edhe fati i kampionatit duket i paravendosur. Havi Martinez ishte njeriu që hapi serinë e golave, pikërisht mesfushori veteran spanjoll që shkëlqeu ndaj Liverpulit në Champions. Tomas Myler shënoi një rrjetë të rrallë për të këto kohë, ndërsa Robert Levandovski e rinisi “huqin e vjetër” me dy realizime. Polaku ka tani 195 gola në Bundesligë, duke qenë i pari në renditjen e shënuesve të huaj, pasi la prapa legjendën peruviane Klaudio Pizarro. Serzh Gnabri ishte autor i golit tjetër.
Trajneri Niko Kovaç po sheh sesi po “piqen” frytet e punës së tij, pasi Zyle është kthyer në “shtyllë” të mbrojtjes, me Boatengun e Humelsin në rotacion. Rafinja, Havi Martinez, Tiago Alkantara dhe Hames Rodrigez janë kthyer në “shefat” e mesfushës dhe Bajerni nuk ka më nevojë për “plakushët e mëdhenj” Riberi e Roben. Renato Sançez, Jeong, Dejvis, Mai madj edhe Meritan Shabani janë alternativa për një stol të fortë. Bavarezët, me të drejtë, tani mund të pretendojnë për të tre trofetë, Bundesligë, Champions, Kupë Gjermanie.
Sfidanti.al