“Triumfi klasik” i Barcelonës në “Santiago Bernabeu”!

E parakaloi për numrin e fitoreve në total, arriti suksesin e 11-të në 18 ndeshjet e fundit në “Bernabeu” dhe e la 12 pikë prapa në La Liga. E gjitha kjo vetëm pak ditë pasi e eleminoi nga Kupa e Mbretit. Çfarë mund të bëjë tjetër Barcelona kur luan me Realin brenda në Madrid?! Jo më shumë se kaq, ndërsa arriti fitoren e katërt radhazi në tempullin e madrilenëve.

Duelin e La Ligës e vendosi një gol i vetëm, shënuar nga Ivan Rakitiç në 26-të të pjesës së parë, dhe katalanasit u ngjitën në 60 pikë, ndaj 50 të Atletikos që luan nesër, dhe 48 të Realit që vështirë të shkojë më shumë sesa vendi i tretë. Titulli i dytë radhazi dhe i 26-ti në histori është shumë pranë për “blaugranët” që pritet të shkëputen edhe më shumë nga rivalët e mëdhenj për trofetë e fituar (aktualisht, 95-92 për Barçën).

Reali luftoi sërish fort, ashtu si në ndeshjen e Kupës, dhe Vinisius, Modriç, Kasemiro, Regilon e Ramos, si dhe Asensio në pjesën e dytë bënë gjithçka për të ndalur serinë negative. Gjuajtën 17 herë drejt portës, por vetëm 4 herë në kuadrat, të ndaluar gjithnjë nga Ter Shtegen. Barça ishte më mirë sesa në mesjavë, duke mbajtur topin 52 për qind e duke gjuajtur 10 herë, me 4 të tilla në portën e Kurtuasë. Mesi, Dembele e Suarez patën mundësi të shënonin edhe më shumë.

Katalanasit vuajtën edhe nga dëmtimet, pasi Pike dhe Mesi nuk u ndjenë shumë mirë, i pari pranë fundit, dhe argjentinasi më herët. Gjithsesi, shtrënguan dhëmbët dhe u mbajtën. Pas fitores së katërt radhazi të “azulgranëve”, gazeta “Marka” titulloi në mënyrë kuptimplotë: Fitorja klasike e Barcelonës!

Sfidanti.al