Milani ngjitet i treti, por Gatuzo parashikon 12 finale në Serinë A

Ishin plot 60 000 tifozë, por u shënua vetëm një gol, e megjithatë stadiumi “San Siro” u duk si në mbrëmjet e rasteve të mëdha. Ishte një autogol i Lirolës për Sasuolon, jo një gol i arbëreshit Muzakio, që vendosi ndeshjen e Serisë A, dhe ngjitjen e Milanit në vendin e tretë. Xhenaro Gatuzo mund të kritikohet si trajner me mentalitet mbrojtës, por rezultatet po i arrin.

Milani ka 48 pikë ndaj 47 të Interit, ndërsa në 8 nga 11 ndeshjet e fundit nuk ka pësuar gol. Gjithsesi, ndaj Sasuolos u vuajt shumë, madje pati edhe ndihmën që miqtë mbetën me 10 vetë në minutën e 64-ët pas daljes me të kuqe të Andrea Konsilit. Gjithsesi, vazhdoi marshimi triumfal drejt Championsit dhe drejt vendeve të larta të kampionatit italian.

“Nuk jam i kënaqur për nivelin teknik të lojës, të manovrës, – ishin fjalët e Gatuzos, – duhet më shumë shkëlqim, por vazhdojmë të jemi një skuadër e bashkuar. Më pëlqejnë shumë rezultatet pozitive të kohëve të fundit, ndonëse nuk jam plotësisht i lumtur me atë që bëjmë në fushë. Tani, kemi përpara 12 finale në Serinë A për të arritur objektivat tona”.

Sfidanti.al