Oblak-Grizman-Simeone, “triniteti i shenjtë” i Atletikos!

Antuan Grizman firmosi vitin e kaluar duke hedhur poshtë Barceloën. Diego Pablo Simeone rinovoi kontratën pak kohë më parë, ndërsa mbetet edhe një i tretë që duhet “lidhur” tek Atletiko. Ky është portieri Jan Oblak, një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, bisedimet për kontratën e së cilit nuk po përfundonin.

Gjithsesi, gazeta “Marka” jep lajmin për “tymin e bardhë” nga “oxhakët” e klubit, pra që portieri slloven do të rinovojë marrëveshjen që i përfundon në 2021. Të dhënat janë që ai do të bëhet portieri më i paguar në botë, më shumë se De Gea, Bufon, Ederson, Nojer, Kurtua, Ter Shtegen apo Alison.

Rroga pritet të jetë më shumë se 8 milionë eurot në vit që merr Diego Kosta, duke mbetur vetëm i dyti në renditjen e borderosë së Atletikos. Drejtuesit kanë vendosur të rrisin edhe klauzolën në kontratën e tij, që duhet të shkojë “krah për krah” me rrogën, sipas rëndësisë që ka Oblaku. Kjo klauzolë pritet të shkojë nga 100 milionë, në 200 milionë euro.

Sfidanti.al