Spanja me 3 ekipe në Ligën e Europës; Anglia, Italia e Rusia nga dy

Vetëm Betisi nuk mundi ta kalonte pengesën nga skuadrat e Spanjës në Ligën e Europës. U eleminua nga Rena e Francës, papritur i mundur 1-3 në shtëpi, por Valencia e Vijarreali iu bashkuan Seviljes për në të tetat e finaleve. Shteti i madh iberik mbetet më i përfaqësuari në kompeticionin e dytë të klubeve në kontinent.

Një ekip më pak kanë Anglia, Italia dhe Rusia. Arsenali përmbysi humbjen 0-1 në Bjellorusi duke fituar 3-0 ndaj BATE-s së Borisovit, me një gol shënuar edhe nga shqiptari i Gjermanisë, Shkodran Mustafi (në foto). Çelsi largoi sado pak presionin mbi trajnerin Sarri duke mposhtur 3-0 Malmon e Suedisë, pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë.

Interi e Napoli nuk ndoqën shembullin e Lacios, por ia dolën. Zikaltërit sërish pa ish-kapitenin Ikardi, mundën 4-0 Rapidin e Vjenës (Vesino, Ranokia, Perishiç, Politano autorë golash), dhe rezultati i përgjithshëm ishte 5-0. Napolitanët, me Elseid Hysajn titullar, kaluan 2-0 Zyrihun ku golat ishin të Verdit dhe Unasit.

Rusia ka Zenitin e Shën Peterburgut, që përmbysi shifrat me Fenerbahçen pas fitores 3-1. Ka edhe Krasnodarin që eleminoi Leverkusenin me barazimin 1-1 në Gjermani, pas 0-0 në Rusi.

Rezultatet: Arsenal-BATE 3-0 (0-1), Dinamo Zagreb-Plzen 3-0 (1-2), Frankfurt-Shahtar Donjeck 4-1 (2-2), Napoli-Zyrih 2-0 (3-1), Salcburg-Klub Bryzh 4-0 (1-2), Valencia-Sëlltik 1-0 (1-0), Vijarreal-Sporting 1-1 (1-0), Zenit-Fenerbahçe 3-1 (0-1), Leverkusen-Krasnodar 1-1 (0-0), Benfika-Gallatasaraj 0-0 (2-1), Betis-Renë 1-3 (3-3), Çelsi-Malmo 3-0 (2-1), Dinamo Kiev-Olimpiakos 1-0 (2-2), Genk-Sllavia Pragë 1-4 (0-0), Inter-Rapid 4-0 (1-0).

Sfidanti.al