Ishte një ndeshje e pazakonte ajo e luajtur në “Maks Morlok Shtadion” të Nyrembergut. Jo vetëm sepse skuadra e vendit të fundit ndaloi në barazim 0-0 kryesuesen e Bundesligës, por edhe për protestën e fortë dhe të veçantë të tifozëve. Ishin rreth 50 000 spektatorë për sfidën e kampionatit, dhe shumë prej tyre e ngritën zërin kundër zhvendosjes së saj të hënën. Bundesliga, normalisht, luhet nga e premtja në të dielën. Tifozët bënë që ndeshja të ndalej dy herë duke hedhur në fushë topa të zinj tenisi, duke mbushur stadiumin me tym të zi, e duke ngritur parulla në formën e gishtit të mesit të ngritur lart.
Dortmundi nuk arriti të çante mbrojtjen e dendur të vendasve, dhe barazimi 0-0 bëri që të mbetej vetëm 3 pikë mbi Bajernin në krye të renditjes. Nyrembergu sërish mbeti i fundit me vetëm 13 pikë, por me më shumë shpresë tani nën drejtimin e trajnerit të ri, Boris Shomers. Dortmundi pati epërsi të madhe, por portieri Matenia bëri pritje shpëtuese. Tashmë, Borusia ka 5 ndeshje radhazi pa fitore (në çdo kompeticion), si dhe dy ndeshje radhazi pa shënuar, diçka që nuk i ndodhte që nga 2015-ta.
Sfidanti.al