“Engjëlli” Kobinah shpëton Tiranën, Flamurtari gjen “ilaçin” me Skënderbeun!

U desh një mrekulli që të vinte shpëtimi. Tirana nuk arriti të fitonte, por edhe shmangia e humbjes në sekondat e fundit shtesë, mund të quhet arritje e rëndësishme. Afrikani Kobinah realizoi një gol të madh, që u duk e vetmja mënyrë për marrë të paktën pikën ndaj Luftëtarit në “Selman Stërmasi”.

Formacioni vendas, i drejtuar nga trajneri Ardian Mema, vlerësohej si favorit absolut përpara fillimit të sfidës, për vetë ecurinë pozitive këtë vit, si dhe për lëkundjet e mëdha të gjirokastritëve. Tirana jo vetëm që kishte arritur fitore, por edhe ishte kualifikuar në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit, dhe u duk se e kishte marrë veten.

Ndeshja tregoi se nuk ishte plotësisht kështu, dhe se ndaj Luftëtarit nuk u realizua epërsia në lojë që prisnin tifozët. Miqtë kaluan të parët në epërsi që në minutën e 21-të me anë të Aleksit, dhe përballuan presionin e vendasve, sidomos pas pushimit. Ky barazim bëri që Tirana të mos mbante epërsinë prej 8 pikësh ndaj vendit të parafundit, Kastriotit, avantazh që zbriti në 6.

Ndërkaq, në Vlorë, Flamurtari më në fund e mundi Skënderbeun në këtë kampionat. Një fitore e merituar, arritur me golat e Ribajt dhe të Mustës, dhe me mjaft raste të vendasve.

Gjithsesi, Skënderbeu pati gjithashtu mundësi shënimi, ndërsa sulmuesi Oto Xhon i prishi punë skuadrës, duke bërë të pavlefshëm golin e barazimit shënuar nga Krasniqi. Pas 22 javëve, Flamurtari u barazua me pikë me Skënderbeun, nga 33, dhe ende shpreson për një vend në Ligën e Europës.

Sfidanti.al