Harroni Uestbrukun dhe Lebronin, tripëll dabëlli e ka emrin Jokiç

Ndër lojtarët aktivë, më të mirët në këtë statistikë janë Rasëll Uestbruk me 127 tripëll dabëlla dhe Lebron Xhejms me 78. Në distancë në vend të tretë është Xhejms Harden me 41 të tillë, por një yll i ri po afrohet me shpejtësi. Ky është Nikola Jokiç, serbi 23-vjeçar që realizoi tripëll dabëllin e radhës në fitoren ndaj Sakramentos.

Jokiç ka tani 28 tripëll dabëlla, ndërsa luan në NBA me Denverin, një nga skuadrat më të mira të sezonit. Me këtë ritëm, ai pritet që të kalojë jo vetëm Hardenin dhe Lebronin, por pse jo, të pretendojë për treshen e parë, ku ndodhen Oskar Robertsoni, Mexhik Xhonsoni dhe Uestbruku. Ylli i Denverit po luan sezonin e tij të katërt, dhe më të mirin deri tani, me 11 tripëll dabëlla.

Ndaj Sakramentos, ai shënoi 20 pikë, kapi 18 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, me Denverin që fitoi në sekondat e fundit 120-118 dhe mbetet në vend të dytë në Perëndim, me 39 fitore e 18 humbje.

Sfidanti.al