Shumëkush u habit që Lebron Xhejmsi nuk u përfshi në skuadrën e Los Anxhelos Lejkërsave për derbin e Kalifornisë ndaj Golden Stejtit. “Mbreti” i basketbollit luajti një ndeshje më parë, dhe shkëlqeu në fitoren ndaj Klipersave në derbin e qytetit, veçse trajneri Ljuk Ualton e la jashtë. “Lebroni ishte tepër i lodhur dhe me dhimbje mëngjesin pas fitores me Klipersat, – tha Ualtoni, – nuk ishin pak 40 minuta lojë pas një mungese kaq të gjatë”.
Lejkërsat u mundën 101-115, edhe pse luftuan fort me kampionët, ndërsa tifozët po kuptojnë se mosha 34-vjeçare e Xhejmsit nuk është një shaka. Në një kampionat kaq të ashpër dhe ritmik sa NBA-ja, kjo mund të ndikojë për keq tek superylli dhe tek skuadra. Lebroni e lodhi shumë veten sezonin e kaluar te Kavaliersët, ku u përpoq të fitonte titullin e katërt në karrierë, ndërsa “u rrëzua” në pengesën e fundit, në finale ndaj Golden Stejtit. Trajneri Ualton shpreson që duke e kursyer fizikisht në sezonin e rregullt, mund ta ketë Lebronin më të freskët në plej of.
Sfidanti.al