Emri Bajern i fortë dhe në Euroligë, e provoi Fenerbahçe

Në Mynih nuk janë të kënaqur që të shkëlqejnë vetëm në futboll. Edhe pse topkëmba është sporti kryesor, sërish Bajerni i ka vënë vetes detyrë që të jetë i madh edhe në basketboll. Bavarezët e treguan forcën e tyre, më në fund, përballë një ekipi vërtet të madh si Fenerbahçe. Në duelin e madh në Mynih, Bajerni triumfoi ndaj kryesueses së Euroligës, 90-86, pas dy kohëve shtesë. Rreth 6 400 spektatorë në Arenën bavareze mbështetën ekipin e tyre ndaj njërit prej favoritëve të Championsit të basketbollit.

Me buxhetin prej 20 milionë eurosh, Bajerni është një fuqi, ndonëse ende më poshtë sesa CSKA e Moskës, Fenerbahçe, Reali, Olimpiakosi apo Panathinaikosi. Gjithsesi, nën drejtimin e kapitenit Danilo Bartel (14 pikë, 7 topa në tabela, 2 asistë), vendasit ia dolën. Shumë mirë luajtën edhe Stefan Joviç (19 pikë, 4 topa në tabela, 3 asistë) dhe amerikani Derrik Uilliams (19 pikë, 5 topa në tabela).

Trajneri Dejan Radonjiç fitoi këtë herë përballjen serbe me të famshmin Zheljko Obradoviç, ndonëse Fenerbahçe mbetet në vend të parë në renditjen e Euroligës, me 18 fitore e 3 humbje, ndërsa Bajerni është në vend të 7-të me 11 fitore e 10 humbje.

Sfidanti.al