Futbollisti më i shtrenjtë në botë, Nejmar, qëkur ka ardhur te PSZH-ka ka qenë me “raport mjekësor” plot 158 ditë, ndërkohë që ditët e fundit ai përsëri ka marrë një “raport” tjetër. Dëmtimi i ri-i vjetër në shputën e këmbës të Nejmarit iu dha “ushqim” të ri cinikëve që e quajnë atë “braziliani prej qelqi”! Dikush tjetër thotë se ai duket sikur është prej letre.
Gjatë 16 muajve, pra që nga shtatori 2017, kur ai filloi të luajë zyrtarisht me PSZH-në, Nejmari, duke përfshirë edhe dëmtimin e fundit, ka qenë jashtë fushës 12 herë që do të thotë se ai është dëmtuar një herë në muaj. Gjithsej ai ka munguar 158 ditë në 480 të tilla gjatë periudhës së lartpërmendur që do të thotë një në tri ditë!
Mos vallë 222 milionë eurot që PSZH-ja shpenzoi për blerjen e tij, janë një investim i dështuar? Sidoqoftë, i shqetësuar është edhe trajneri i këtij ekipi francez, Tomas Tuhel, që thotë: “E njëjta shputë e dëmtuar, të njëjtat probleme që ai ka pasur para kampionatit botëror 2018. Ne jemi të shqetësuar”.
Sfidanti.al