Ç’është ky mallkim Nejmar, sërish dëmtim para Championsit!

Ishte minuta e 62-të e ndeshjes së Kupës në “Park dë Prensis” ndaj Strasburgut, dhe publiku parizien u ngrit në këmbë i shqetësuar. Ylli kryesor i PSG-së, Nejmar, po dilte nga fusha për shkak të një dëmtimi. Ai e kërkoi vetë zëvendësimin, duke ndjerë dhimbje në kavilje, dhe doli nga fusha në lot.

Kjo, vetëm pak ditë përpara ndeshjes së parë të turit të dytë në Champions ndaj Mançester Junajtidit, e sipas mediave, Nejmar mbetet në dyshim të madh. Një mallkim për brazilianin, pasi kjo i ndodhi edhe sezonin e kaluar, dhe afërsisht në këtë kohë. U dëmtua në një ndeshje kampionati, në prag të takimit të dytë të Championsit ndaj Realit, duke humbur gjithë sezonin, e duke u kthyer në Botëror. Traneri Tuhel ka edhe shqetësimin e dëmtimit të Marko Verratit.

Paris SG e fitoi 2-0 ndeshjen e Kupës së Francës, duke u kualifikuar për në të tetat e finaleve.Edinson Kavani i dha avantazhin kampionëve në minutën e 3-të, ndërsa Angel Di Maria realizoi golin e dytë, dhjetë minuta para fundit.

Sfidanti.al