Dueli më i madh i turit të dytë të Championsit, padyshim, është ai mes Liverpulit dhe Bajernit. Një sfidë klasike europiane, mes dy ekipeve që e kanë fituar nga 5 herë “kupën me veshë”, dhe që kanë bërë historinë në kontinent. Mbrojtësi bavarez, Xhoshua Kimih, në një intervistë për revistën gjermane “Shport Bild”, thekson se “Liverpuli nuk është se u hodh përpjetë nga qejfi që shorti e vuri përballë nesh”.
Futbollisti 23-vjeçar e pranon se skuadra angleze është shumë e fortë, dhe një nga më të mirat e botës për momentin. “Liverpuli ka gjithçka, – u shpreh ai, – ritëm, teknikë dhe është tepër luftarak. Gjithsesi, ne jemi Bajerni, jemi skuadër e madhe, me lojtarë të shkëlqyer dhe me shumë përvojë”. Ndeshja e parë luhet në “Anfild” në 19 shkurt (pra pas një muaji), ndërsa e dytë në “Alianc Arena”, në 13 mars.
Sfidanti.al