Bufoni si Guardiola, thonë atë që mendojnë dhe kur s’u pëlqen tifozëve

Presioni është kaq i madh në futboll, dhe interesat në lojë janë kaq të rëndësishme, saqë lojtarët dhe trajnerët janë bërë si politikanët, me fjalët që thonë bëjnë që t’u vdesë çdo ditë diçka nga vetja e tyre (një batutë e vjetër, e përdorur edhe nga kryeministri i sotëm shqiptar, Edi Rama, kur ishte në opozitë).

Gjithsesi, ka kampionë që nuk duan të vdesin nga pak çdo ditë dhe, pas të shkëlqyerit Pep Guardiola, ja ku del në skenë edhe Xhanluixhi Bufon. Portieri i madh italian theksoi që, pavarësisht se ai luan për Paris SG, favorite në Champions është ish-skuadra e tij, Juventus. “Mendoj se është një skuadër që mund të quhet favorite, Juvja, – tha ai për gazetën spanjolle “Marka”, – që ka skuadër po aq të fortë sa Reali, Barcelona apo Siti. Po PSG? Nuk e ka historinë e Juves apo të Realit, por po hedh bazat për një të ardhme të madhe”.

Guardiola, nga ana e tij, pavarësisht se iku nga Barcelona, dhe u bë trajner i Bajernit e Sitit, gjithnjë tha të njëjtën gjë: “Lojtari më i mirë në botë është Lionel Mesi”. Me logjikë, yjeve të ekipeve të tij të rinj nuk kishte pse t’u mbetej qejfi. Jo larg këtij sinqeriteti edhe Zhoze Murinjo. Kur ishte trajner i Realit, edhe pse kishte në skuadër Kristiano Ronaldon, deklaroi se “në karrierën time si trajneri, lojtari që më ka shqetësuar më shumë për ta neutralizuar, mbetet Lionel Mesi”. Kjo, edhe pse Ronaldon e kishte pasur rival kur ishte trajner tek Porto dhe tek Çelsi.

Sfidanti.al