Dortmund “me shpatë”: Talenti Sanço edhe vitin tjetër me ne!

Mund të quhet “incubator”, “çerdhe”, “kopësht” apo “shkollë fillore”, por Borusia e Dortmundit është krenar për talentet e saj, dhe e suksesshme me ta. Trajneri Lysien Favre ka krijuar një skuadër simpatike dhe fituese, ndërsa drejtori sportiv, Mikael Cork, është “mburoja” e klubit, ndërsa shumë gjigandë në Europë po hedhin “grepat” për t’i “peshkuar”. Një nga më të kërkuarit është 18-vjeçari anglez, Xhejdën Sanço, i cili pëlqehet nga Reali i Madridit.

“Po e them shumë qartë, – u shpreh Corku, – Sanço do të jetë sërish sezonin tjetër me ne. Ai luan një rol shumë të madh, ndonëse në moshë shumë të re, driblimi i tij është i pabesueshëm, dhe ne mendojmë se Dortmundi është vendi më i mirë ku ai të vazhdojë të rritet”. “Kjo, – shton Corku, – vlen edhe për talentet e tjerë, pasi ne kemi një projekt të qartë, dhe u japim mundësi që të luajnë futboll e të shprehin vlerat e tyre”. Sanço u mor nga Siti për vetëm 8 milionë euro, dhe kur të vijë koha e transferimit, Dortmundi mund të fitojë të paktën 7 apo 8 herë kaq.

Sfidanti.al