Më i miri në fushë në duelin e madh ishte Stefën Kërri, por gjithsesi, Luka Donçiç la përsëri një përshtypje të jashtëzakonshme. Basketbollistët e Golden Stejtit folën me superlativa për talentin nga Sllovenia, dhe po ashtu edhe trajneri i tyre, Stiv Kerr. “Luka është një lojtar i nivelit të Ndeshjes së Yjeve”, – u shpreh njeriu i stolit. Kërri, autor i 48 pikëve kundër Dallasit, e nxiti Donçiçin duke i thënë “vazhdo të bësh këtë që po bën tani”.
Më konkret dhe më i thellë, komenti i Kevin Durantit. Lojtari më i mirë i finaleve të vjetshme në NBA, i bëri një kritikë sistemit amerikan të koshit. “Padyshim që kur je 19 vjeç, ke 20 pikë për ndeshje, 6 topa në tabela e 5 asiste si mesatare, duhet të konsiderohesh se një “All Star”, – u shpreh Duranti, – por, ai ka kaluar një tjetër përvojë nga ai i të rinjve amerikanë. Që nga mosha 14 vjeç është përqëndruar vetëm tek basketbolli, dhe ka luajtur fare i ri në ligën e dytë më të mirë në botë, në Euroligë dhe në ligën spanjolle”.
“Në Amerikë, – shtoi Duranti, – të rinjtë e moshës së tij duhet të shkojnë në kolegj dhe në universitet, duhet të mësojnë dhe jo vetëm të luajnë basketboll. Donçiç ka përvojë më të madhe, dhe kjo duket kur përballon shumë lehtë momentet më të vështira të ndeshjeve”.
Sfidanti.al