Kërri,rekord për gjuajtjet për 3 pikë; a është ‘sniperi’ më i mirë në NBA?

Stefen Kërri vazhdon të kalojë barriera të ndryshme deri sa të bëhet shënuesi më i mirë në gjuajtjet për tre pikë në historinë e NBA. Basketbollisti i Golden State në këtë moment është shumë pranë vendit të tretë në këtë klasifikim të vecantë që mbahet nga Xhejson Terri, ndërkohë që në 2 vendet e para janë Rexhi Miller me 2560 gjuajtje për 3 pikë dhe Rej Allen me 2973

E vecanta për Kërrin është se basketbollisti i Uorriors është i vetmi ndër 40 shënuesit më të mirë nga distanca që ka një mesatare prej 3.5 trepikëshash për ndeshje dhe nëse e mban këtë ritëm atëherë ai shumë shpejt do të arrijë në statistika astronomike.

Rekordi i fundit që regjistroi Stefen Kërri, ishte ai i basketbollistit me më pak ndeshje brenda një sezoni që ka shënuar 150 gjuajtje nga 3 pikë. Basketbollistit nga Akroni iu deshën 30 ndeshje për të kaluar këtë shifër që do të thotë një mesatare prej 5 gjuajtjesh nga distanca për ndeshje.

Vlen të theksohet se edhe rekordi i mëparshëm mbahet prej tij që në sezonin 2015/16 arriti të shënojë në 150 gjuajtje nga distanca në 33 ndeshjesh. Por Kërri ka pasur edhe rënie të lehta në statistikat e tij sic është përqindja e gjuajtjeve të realizuara. Në këtë pikë, faktori kryesor që ka ndikuar ka qenë shëndeti i lojtarit me Kërrin që ka pasur disa herë probleme fizike.

Kështu, përpara dëmtimit në këmbën e majtë, ai ishte i vetmi lojtar në historinë e NBA që ishte i saktë në 50% të gjuajtjeve të tij nga parketi, me 50% të gjuajtjeve për 3 pikë dhe në 90% të gjuajtjeve të lira. Tani numrat janë disi më të ulëta, por përsëri të konsiderueshme. 48.8% saktësi në gjuajtjet nga parketi, 44.3% në gjuajtjet nga distanca dhe nnë 91.3% në gjuajtjet e lira për të arritur një mesatare pikësh prej 28.9 pikë për ndeshje, statistika e dytë më e mirë në karrierën e tij përsa u përket pikëve personale.

sfidanti.al