Pse Siti është favorit në Angli? Shikoni ndeshjen me Bartonin

Kur një ekip luan një ndeshje të Kupës së Ligës, sikur të jetë një sfidë vendimtare kampionati, kjo është shenjë e fortë se ai ekip është një favorit i madh. Këtë bëri Mançester Siti i Guardiolës në fitoren e ekzagjeruar 9-0 ndaj Barton Albionit modest, në gjysmëfinalen e parë luajtur në “Etihad”. Trajneri katalanas i bëri disa ndryshime në formacion, por për fatin e tij, shumica e rezervave janë sikur të ishin titullarë.

Shqiptari i Kosovës, Muriç, në portë, pastaj Uolker, Otamendi, Garia, Zinçenko, De Brujn, Gyndogan, David Silva, Mahrez, Gabriel Zhezus dhe Sane ishin titullarët, ndërsa si zëvendësues në fushë hynë Danilo, Foden dhe Bernardo Silva.

Gabriel Zhezus shfrytëzoi rastin dhe shënoi 4 gola, De Brujn, Zinçenko, Foden, Uolker dhe Mahrez shtuan nga një secili, për një rezultat që nuk lë vend për asnjë koment. Siti, pra, është i kualifikuar për në finalen e Kupës së Ligës, ku pret fituesin e çiftit londinez, Totenhem-Çelsi.

Që pas fitores ndaj Liverpulit, Siti ka bërë një kthesë dhe duket sikur ka hequr nga supet një barrë të rëndë me dy humbjet radhazi. “Qytetarët” janë ende në vend të dytë në kampionat, 4 pikë prapa Liverpulit, por besimi rritet gjithnjë e më shumë, sidomos nga aftësia e madhe e ekipit për të shënuar gola, plot 96 deri tani në të gjitha kompeticionet, ndërsa ka luajtur 33 ndeshje, me një mesatare prej gati 3 golash për çdo takim.

Sfidanti.al