Duhej të ketë qenë viti 2011, ndoshta 2012 apo 2013. Në stadiumin e Malagës, ku luante skuadra atëherë e famshme e Iskos dhe Santi Kazorlës, njëri nga djemtë e vegjël që mblidhnin topat e kishte emrin Brahim Diaz. Askujt nuk do t’i interesonte ta dinte, me përjashtim të prindërve dhe shokëve, por tashmë kushdo po hedh një sy në foton e dikurshme në Instagram.
Djali topmbledhës, Brahim Diaz, tashmë u bë shok skuadre me idhullin e atëhershëm, Isko. Në moshën 19-vjeçare, ai luan mesfushor dhe firmosi kontratë me Realin e Madridit, të vlefshme deri në 2025. Isko, ka disa vjet që ndodhet në “Bernabeu”, ndonëse kohët e fundit nuk po kalon shumë mirë.
Diaz ka bërë hapa të mëdhenj që nga 2013-ta. Pikërisht në atë kohë, ai kaloi nga Malaga tek Mançester Siti, pasi skautët e klubit anglez vunë re një talent të madh tek 13-vjeçari. Ai vazhdoi rritjen në Akademinë e Sitit, duke luajtur nga pak në skuadrën e parë në 2016, 2017 dhe 2018. Në verë, kontrata e tij përfundonte, dhe Pep Guardiola nuk dinte ç’të bënte, duke e pasur skuadrën plot me yje.
“Reali ishte alternativa e vetme”, – thotë Diazi, ndërsa madrilenët paguan 17 milionë euro për kartonin e tij. Bashkë me klauzolat e zakonshme në kontratë, kjo shifër mund të shkojë në 24 milionë euro. Siti ruan të drejtën për të marrë 15 për qind të shumës së një transferimi të mundshëm në të ardhmen, por “qytetarët” janë kujdesur për diçka. Shifra që ata mund të marrin, shkon në 40 për qind, nëse Diaz shkon “në një klub tjetër të Mançesterit”.
Sfidanti.al