Duhen ende disa ditë deri në 18 janar, kur Bajerni do të kthehet në fushë në Bundesligë. Ndeshja nuk do të jetë edhe aq e lehtë, në fushën e Hofenhajmit, por specialistët e titujve po përpiqen të nisin betejat psikologjike përpara atyre sportive. Portieri Manuel Nojer, që nga kampingu i trajnimit në Doha, synon të rrisë presionin mbi kryesuesen, Borusian e Dortmundit.
“Është e vërtetë që ne lamë shumë pikë në fazën e parë, – u shpreh ai, cituar nga “Shport Bildi”, – dhe kjo nuk duhet të na ndodhë më. Gjithsesi, ne e dimë se edhe Dortmundi nuk luajti gjithnjë mirë. Jo gjithçka ishte perfekte tek ata, madje ishin me fat në javët e para”.
Nojeri mendon se 6 pikë diferencë me kreun nuk janë diçka për të humbur gjumin. “Çdo gjë është e mundur dhe ne duam që të jemi sërish kampionë të Gjermanisë”, – pohon ai me forcë. Bajerni luan në Hofenhajm në 18 janar, ndërsa Dortmundi zbret në fushë një ditë më vonë, në 19, në fushën e Lajpcigut.
Sfidanti.al