Në Gjermani kërkojnë “gijotinën” pas ofendimeve të Riberisë

“Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”. Ky është neni numër 1 i rregullores tek Bajerni, siç e ka bërë të qartë Karl Hajnc Rumenige. Shefi ekzekutiv, me siguri, do ta lexojë edhe një herë rregulloren tani që Frank Riberi shpërtheu me një ofendim të papritur dhe të rëndë, në një postim në rrjetet sociale. Ylli francez i Bajerit reagoi pas kritikave ndaj tij, për faktin se hëngri një biftek “të artë” në një restorant turk, duke e quajtur “fillimin më të mirë që mund t’i bënte vitit 2019”.

Reagimet në Gjermani ishin të ashpra pas fjalëve aspak të denja të 34-vjeçarit, madje fjalë tepër të turpshme ndaj kritikëve, duke ofenduar nënat dhe gjyshet e tyre, si dhe krejt pemën familjare. Gazeta “Bild” i kujton Rumeniges se ish-kapiteni Filip Lahm u gjobit me 50 000 euro pas një interviste jo të përshtatshme, por që as nuk mund të krahasohet me sharjet e numrit 7.

“Pasojë e fjalëve të Riberisë duhet të jetë pezullimi, kjo gjë kurrë nuk ka ndodhur në Bundesligë”, – është verdikti i “Bildit”, që paralajmëron se “Rumenige dhe Hënesi po mendohen mirë për fjalët që do të thonë, pasi në lojë është kredibiliteti i tyre”. Gazeta kujton se lojtari i krahut goditi me shuplakë një gazetar francez nëntorin e kaluar, dhe ia hoqi me një kërkesë faljeje, jo edhe aq të fortë.

Sfidanti.al