Është përlotur presidenti Duka në minutën e fundit të vitit që kaloi dhe “golin” e kanë bërë njerëzit e stafit të tij. Tamam si në një ndeshje që dukej sikur zjarri i lojës ishte fikur, dhe asgjë nuk do të ndodhte, por, papritur, nga heshtja e varrit del goli i madh! Ishin ditët e fundit të vitit që kaloi dhe njerëzit e ngushtë, ata që rrethojnë presidentin Duka në FSHF, zbuluan një “lodër”, të cilën vetëm ata mund ta sillnin dhe asnjë babagjysh në botë! Një fanellë që bashkonte me fantazi servile.. flamurin tonë me atë të UEFA-s !
Pse ky shartim flamurësh ? Ç‘na duhet kjo përzierje gjaku me ata që na kanë ndëshkuar në Europë? Po, po, grini sallatë ju ! Na duhet aq shumë në këto momente, sa e falim me zemer UEFA-n, edhe për thikën e madhe që i futi ‘Skënderbeut”. UEFA mund të jetë lavire për popullin e topit te shfryrë kur dilte në protesta, por është ndjellëse, e lakmuar, madje dhe e ndershme, kur flitet për fatin e presidentit Duka. Një fat që do të shitet si fati i gjithë shqiptarëve, kur shefi ynë të ngjitet në majën zyrtare të futbollit europian, mu ne zemer të Komitetit Ekzekutiv. Atëherë, do të këndojmë prapë, si në ditët fatlume të Europianit atë vargun dehës “ O sa mirë me qënë shqiptar”. Dhe ku ka më mirë të festosh për shefin europian, madje këtë herë t’i lutemi Zotit të na ndihmojë , pasi nuk ka mbret që të dështojë dy herë.. Do të jemi me fat po fitoi despoti ynë, për të kuptuar edhe më qartë se UEFA është si një zonjë që nga njëra anë hiqet si e ndershme me klubet, kurse nga ana tjetër bën orgji me fajtorët, ku edhe në krevat shesin dhe blejnë vota!
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport