Kombëtarja shqiptare ka humbur pozicione në renditjen botërore të FIFA-s për muajin nëntor. Ekipi përfaqësues ishte në vendin e 49-të në klasifikimin e botuar së fundmi, duke pasur 619 pikë. Për skuadrën e trajnerit De Biazi vazhdon zbritja graduale, e cila është shkaktuar nga humbjet e fundit me Spanjën dhe me Izraelin në eleminatoret e kampionatit botëror.
Shqipëria pati rënie edhe pas fitores me Lihtenshtajnin, për shkak të nivelit të ulët të kundërshtarit. Tashmë, duken të largëta kohët kur kuqezinjtë arritën rekordin e historisë së tyre, vendin e 22-të pas fitores ndaj Francës në Elbasan, në qershor të vitit 2015. Ekziston mundësia që kombëtarja të dalë jashtë 50 vendeve të para, pasi pritet të luajë vetëm një miqësore deri në ndeshjen ndaj Italisë në 24 mars të vitit të ardhshëm, në eleminatoret e Botërorit.
Renditja e FIFA-s kryesohet nga Argjentina, ndërsa në vendin e dytë është ngjitur Brazili, duke zbritur në të tretin Gjermaninë, kampione të botës.