Vazhdon mllefi për Topin Artë, Mesi shkatërron Levanten!

“Mos e zgjo bishën e plagosur”. Kështu thuhet rëndom, dhe kështu po ndodh me Lionel Mesin, edhe pse argjentinasi në pamje të parë nuk duket aspak si bishë. Gjithsesi, është prej “përbindëshi” ajo që po bën këto ndeshje, duke rreshtuar golat, asistet dhe organizimin e lojës për Barcelonën.

Shënoi tri herë në fushën e Levantes, në fitoren 5-0 të Barcelonës në La Liga, po ashtu dha asistin për golin e parë, realizuar nga Suarez, si dhe për të pestin e Pikesë. Rrezikoi disa herë portën vendase, si dhe shërbeu asist për tjetër gol, veçse Suarezi shpërdoroi në mënyrë të habitshme.

Që kur Topi i Artë iu dha Luka Modriçit, Mesi ka qenë më shumë “stratosferik” se zakonisht. Tashmë, ai u ngjit në vend të parë të shënuesve në La Liga, me 14 gola në 14 ndeshje (Stuani e Suarez kanë nga 11), ka më shumë gola sesa ndeshje këtë sezon (19-20), ndërsa po i afrohet frikshëm shifrës së 400 rrjetave në karrierë në La Liga. i dyti pas tij, Kristiano Ronaldo ka 86 gola më pak.

Me këtë fitore, Barcelona u ngjit në 34 pikë, u shkëput në 3 pikë nga ndjekësit Sevilja e Atletiko Madrid, dhe e la sërish 5 pikë prapa Realin. Me 46 rrjeta të shënuara, katalanasit kanë gati 3 gola për ndeshje, dhe po ashtu gati dyfishin e realizimit të Realit.

Sfidanti.al