A mund të jetë i lumtur një trajner të cilin e largojnë për pak javë nga ekipi? Në tokën e djegur të futbollit, ku hipokrizia dhe frika bashkohen për bukuri, të duket sikur trajnerët kur flaken nga ekipi janë më të “lumtur” se sa kur e marrin ekipin. Rastet janë të shumta, por, në krye të klasifikimit të shkarkimeve të lumtura, janë disa trajnerë të Kombëtares së moshave, që ditën e “bekuar” të largimit nga kanë lënë shenjën të denjë për lapidar të zi.
“ Mos u bëni merak pse më hoqën nga stoli, sepse nuk e kisha marrë me tapi postin e trajnerit”. Kush i ka thënë këto fjalë të paharruara ? I ka thënë Bellai dhe askush nga të ikurit e lumtur akoma nuk ia marrë vendin nëkrye të klasifikimit. Një frazë e tillë mund të shkaktojë dhimbje koke tek trajnerët përtej mëhallës sonë, por në shqipen e topit, kjo frazë e dhimbshme, është si një lloj kodi mëshirues, për t’u bërë gati për ..lamtumira të tjera të gëzueshme.
Rasti i fundit i një trajneri që flaket “i lumtur” nga ekipi, është i freskët, i sapopaketuar. Kanë larguar trajnerin Memelli nga ekipi i Laçit dhe ish-sulmuesi që kur luante në fushë të fuste friken, ka çuar më tej traditën e keqe sipas së ciles ashtu si futbollistët luajnë me topin, presidentët luajnë me trajnerët. Kështu, i flakuri i stolit, “pas pushkatimit” nuk ka asnjë peng profesional, por vetëm falenderon klubin, stafin, futbollistët dhe sportdashësit! Dikush mund t’i thotë me qesëndi Memellit : E bëre që e bëre falenderimin, por presidentin e klubit pse ke harruar t’i bësh qokën…
Sfidanti.al