Anglezët fitojnë finalet e Championsit, kalojnë Liverpuli e Totenhemi

Dy skuadrat nga vendi ku u shpik futbolli modern do të jenë në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Liverpuli dhe Totenhemi ia dolën në ato që ishin finale të vërteta për kualifikim, duke fituar sfidat me skuadrat italiane, Napoli dhe Inter. Bashkë me dy skuadrat e Mançesterit, Siti e Junajtid, kjo do të thotë se Anglia i kualifikoi që të gjithë përfaqësuesit e saj.

Sidoqoftë, dramat ishin të mëdha, në tre stadiume, në “Anfild”, në “Kamp Nou” dhe në “San Siro”. Liverpuli fitoi ndaj Napolit 1-0 falë golit të të zakonshmit Mohamed Salah, në minutën e 34-ët. Të kuqtë e Jurgen Klopit e merituan suksesin pasi luajtën më mirë, krijuan më shumë raste, mbajtën më shumë topin dhe gjuajtën shumë më tepër drejt portës kundërshtare.

Gjithsesi, u desh mrekullia e portierit Alison në sekondat e fundit që t’i shpëtonte, ndërsa sulmuesi liverpulas, Sadio Mane, humbi raste të pabesueshëm. Në krye të grupit C doli, megjithatë, Paris SG, i vetmi që ia doli të fitonte në stadiumin “Marakana” të Crvena Zvezdës. Francezët triumfuan 4-1 me gola të ndarë barabar mes Kavanit, Nejmarit, Markinjosit dhe Mbapesë.

Në grupin B nuk pati më pak emocione. Interi fillimisht ishte i kualifikuar, pasi Barcelona shënoi ndaj Totenhemit me anë të Usman Dembelesë. Në një ndeshje pa Mesin e Suarezin, ishte francezi çamarrok që shënoi një supergol, pasi rikuperoi topin dhe vrapoi për 50 metra. Gjithsesi, pa kaluar 6 minuta, PSV Ajndhoveni shënoi në Milano duke e nxjerrë virtualisht Interin nga Championsi.

Në pjesën e dytë, kapiteni Ikardi barazoi në 73’, duke i dhënë kualifikimin momental zikaltërve, por Totenhemi barazoi vonë, në 85’ me anë të Lukas Mourës, e duke mos i dhënë kohë italianëve për të reaguar. Kështu, Interi i Spaletit mbeti jashtë Championsit.

Në grupin A, Dortmundi kapi vendin e parë me fitoren 2-0 në fushën e Monakos (dy gola, Gerrero), ndërsa Atletiko gaboi duke barazuar 0-0 në fushën e Bryzhit. Në grupin D, Porto e mbylli triumfalisht, me fitore 3-2 në Stamboll ndaj Gallatasarajit, por fati fat që Sofian Feghuli humbi penalltinë që mund ta barazonte ndeshjen.

Shalke mposhti 1-0 Lokomotivën e Moskës me gol realizuar në sekondat e fundit nga Alesandro Shopf.

Të kualifikuar: Dortmund, Atletiko, Barcelona, Totenhem, Paris SG, Liverpul, Porto, Shalke.

Të kualifikuar para ndeshjeve të fundit: Bajern, Ajaks, Mançester Siti, Real Madrid, Roma, Juventus, Mançester Junajtid.

Grupi A: Klub Bryzh-Atletiko Madrid 0-0, Monako-Dortmund 0-2. Dortmund 13, Atletiko 13, Klub Bryzh 6, Monako 1.

Grupi B: Barcelona-Totenhem 1-1, Inter-PSV Ajndhoven 1-1. Barcelona 14, Totenhem 8, Inter 8, PSV 2.

Grupi C: Liverpul-Napoli 1-0, Crvena Zvezda-Paris SG 1-4. Paris SG 11, Liverpul 9, Napoli 9, Crvena Zvezda 4.

Grupi D: Gallatasaraj-Porto 2-3, Shalke-Lokomotiv Moskë 1-0. Porto 16, Shalke 11, Gallatasaraj 4, Lokomotiv 3.

Sfidanti.al