Kjo ndeshja Teuta-Partizani, si një shuplakë për “çiftet amorale” të sistemit!

Sa herë që në fushë nuk ka fitues, edhe pse loja meritonte ta kishte një të tillë, fituesi hamendësohet duke u kapur pas episodeve. Sipas këtij zakoni të hershëm, trajneri Shkëmbi, fill pas ndeshjes, ka thënë se nëse futbollisti Sidibe do ta ndërpriste me faull aksionin, s’do ta kishte bërë Partizani golin e barazimit! Lojë fjalësh, që nuk na shqitet, sapo loja në fushë nuk mjafton për të shpallur një fitues. Por nëse ka barazime që shijohen si fitore, ky midis Teutës dhe Partizanit shkon përtej kufirit të pikës , pasi e kundërshton hapur dhe filozofinë e gabuar të Superligës, për ta gjetur fituesin me “nuhatje”. Ashtu siç ndodhi në ndeshjen e madhe në gazeta, por të vogël në fushë, Kukësi-Skënderbeu, ku humbësi dhe fituesi e zbulonin rolin e tyre, pa qënë nevoja të prisje fundin e “filmit”…
Teuta dhe Partizani paskan mallkuar fatin që në fund të një zjarri 90 minutësh, ndanë vetëm nga një pikë të vogël .Veç harrojnë se gjurmët që lanë pas ishin mbresëlënëse, ngaqë dehesh nga qejfi kur ka ndeshje që sistemit i ulin brekët. “Demat”( te dy ekipet) u përplasën kokë më kokë në Durres, pa kursyer edhe shpirtin për 90 minuta, për t’i dhënë jetë një beteje pa kompromis , ku fituesin nuk e gjeje dot në fushë midis futbollistëve, por ndodhej në shkallët e stadiumit ose para ekranit! Kjo ndeshje nuk është se shkëlqeu nga spektakli i skemave që ndodhën në fushë, ngaqë më shumë ndriti ylli i besimit se Teuta dhe Partizani po luanin me karta të hapura, me nerva të tendosura. Aq sa dy “heronjtë” e ndeshjes u shpallen dy portierët, fakt që dëshmon se ky barazim nuk kuptohet mirë, madje edhe keqkuptohet, nëse mbetet peng vetëm tek pikët që ndanë ekipet. Morali i kësaj sfide është shuplakë për shumë ndeshje hileqare, ku partnerët pasi gënjejnë veten, nuk pyesin më për të tjerët…
Sfidanti.al