Leiçesteri bëri histori, kur u shpall një vit më parë kampion i Anglisë, por “dhelprat” këtë sezon, ndodhen në një situatë jo të mirë në Premier Ligë. Humbja e fundit nga Uatfordi (1-2) i çoi edhe më poshtë, në vendin e 14-t të tabelës, vetëm dy pikë larg nga ekipet që ndodhen në zonën e rënies nga divizioni kryesor anglez, ndërsa Marezi dhe shokët e tij të ekipit ndodhen përballë presionit të mbajtjes së epitetit “kampionë të Premier Ligës”. “Sezonin e kaluar, ne luajtëm në mënyrë fantastike, ndërsa sivjet, nuk po arrijmë që të kapim ritmin e Premier Ligës dhe që të jem i sinqertë, të gjithë ne jemi të zhgënjyer nga një gjë e tillë. Nuk është e lëhtë të jesh kampion i Anglisë, pasi të gjithë ekipet luajnë kundër nesh me një motivim suplementar. Rezultatet tona janë larg atyre që ne prisnim, por kam mendimin, se do të na duhen vetëm disa fitore që ne ta kapërcejmë krizën”, thotë Marez, që nuk ka shënuar në Premier Ligë, qysh në prill të këtij viti. Sidoqoftë, Leiçesteriteri i kanë punët mirë në Ligën e Kampioneve, ku ndodhet në krye të tabelës me 10 pikë, pa asnjë gol të pësuar.