Ishte mjaft e vështire që të gjeje bileta në shitje, për ndeshjen derbi mes Mançester Junajtidit dhe Arsenalit, pasi kapaciteti i stadiumit “Old Traford” është më i vogël sesa numri i tifozëve që synonin të gjendeshin në stadium, atë ditë. Kështu që dy tifozë u përpoqën që të gjenin një mënyrë të paligjshme që ta shihnin ndeshjen (1-1), por dështuan. Të premten e kaluar, një ditë para ndeshjes, ata ishin në përbërje të një grupi njerëzish që po bënin një tur nëpër mjediset e “Old Traford” dhe, në një moment, ata u shkëputën dhe u fshehën në një nga tualetet e stadiumit, ku kaluan edhe natën. Por, për fat të keq, ata u diktuan, të shtunën në mëngjes, pra ditën e ndeshjes, gjatë kontrollit të sigurisë nga punonjësit, kështu që u thirr policia, por megjithatë, tifozët nuk u ndaluan, por vetëm u dëbuan nga stadiumi.