Dëgjoni Gasperinin: Portierët do t’i zgjedhin më shumë për këmbët

E thotë “shqeto” se portieri i tij, Etrit Berisha nuk është gati për të ardhmen, por gjithsesi është në rregull me të tanishmen. Xhan Piero Gasperini, trajneri i Atalantës, propozon diçka të shkëlqyer ndërsa jep një intervistë për “La Gazeta delo Sportin”. “Do ta shikoni që, në të ardhmen, portierët do t’i zgjedhin më shumë për lojën me këmbë, sesa për atë me duar”, – theksoi tekniku bergamask. Pyetja menjëherë: A është gati, portieri juaj Etrit Berisha, për këtë rol? Përgjigja: “Jo, më mirë të përqëndrohet tek pritjet”.

Gasperini mendon se në të ardhmen e shpejtë, trajnerët do të afrojnë portierin tek dy mbrojtësit e qendrës për të fituar një lojtar më shumë në atë repart, dhe për të pasur një lojtar më shumë për fazën e organizimit të lojës. “Unë bëra diçka të ngjashme tek Xhenoa, – tregon “Gaspi”, – ndaj Juves, lashë një herë vetëm dy mbrojtës përballë dy sulmuesve kundërshtarë, Burdison e Di Maion kundër Tevezit e Jorentes, kështu fitova një mbrojtës në mesfushë”.

Shumë herë, Gasperinin e quajnë “provincial” sepse përdor mbrojtjen me 3 lojtarë, ndërsa thuhet se përdor edhe mbulimin individual. “Mbrojtjen me 3 e mësova tek Ajaksi dhe Barcelona, – përgjigjet ai, – ndërsa zemërohem kur një lojtar i imi braktis zonën e tij të fushës për të ndjekur një kundërshtar drejt portës”. Atalanta e Gasperinit sot duket sërish pretendente për kupat europiane, madje trajneri shpreson të synojë edhe Championsin.

Sfidanti.al