“Studimi” psikologjik i Demikelis: Van Gali ishte komplet i çmendur!

Martin Demikelis e mbylli karrierën e tij si futbollist me Malagën, por, megjithatë, tifozët e futbollit e mbajnë mend atë më shumë, kur luante me Bajernin e Mynihut, ku ai kaloi vitet më të mirë të tij si futbollist profesionist. Ky mbrojtës stoper argjentinas e mbajti veshur bluzën e klubit bavarez plot shtatë vite, kështu që ai ka pasur mundësi që të bashkëpunojë me shumë trajnerë dhe njërin prej tyre ai e veçon si më të keqin, me të cilin ai ka bashkëpunuar gjatë karrierës së tij të gjatë. Fjala është për trajnerin e njohur holandez, Luis Van Gal, që njihet për regjimin dhe metodat e çuditshme në punën e tij.
“Van Gali është trajneri më i keq, me të cilin unë kam bashkëpunuar. Ai ishte komplet i çmendur! Nëse do të më duhet të them se cili trajner është komplet i çmendur, unë e them pa asnjë dilemë – Van Gal. Po ju tregoj dy raste: në një ndeshje ne udhëhiqnim 3-0 në pjesën e parë, kurse ai hyri në dhomën e zhveshjes gjatë pauzës, duke e përplasur fort derën, duke hedhur shishen që kishte në dorë në tokë dhe duke u ulërirë lojtarëve. Si kapiten, unë u përpoqa ta ndaloja dhe i thashë që të mos t’i ofendonte lojtarët. Në pjesën e dytë të asaj ndeshjeje unë luajt dobët dhe ditën tjetër ai më tha se kështu ndodhi, sepse unë e pengova atë në punën e tij. Mbas kësaj unë qëndrova pushim tri javë, për shkak të një dëmtimi, kurse ai më la në stol edhe tri javë të tjera. Ai u thoshte lojtarëve në stërvitje që të mos ma pasonin topin mua!”, tregon tani Demikelisi.
Sfidanti.al