Trajneri Agostineli i ka çuditur të gjithë pas ndeshjes së fituar minimalisht me Korabin, duke thënë se është shumë i kënaqur me skuadrën, e cila prodhon shumë , por nuk ka fat, apo justifikime të tjera si këto. Në fakt kjo lloj situate që po përjeton është vëretë e çuditshme. Drejtuesit vendosën të mos e largonin, por tashmë e kanë vënë nën një presion të jashtëzakonshëm. Para ndeshjes me Flamurtarin, i thanë se nëse nuk fiton je i mbaruar dhe pas humbjes së Skënderbeut, drejtuesit u treguan më tolerant, duke ia zbutur masën e dënimit, nga “kapital”, në tre ndeshje prove.
Dhe tani, trajneri Italian nuk di se çfarë të bëj me kohën që i kanë dhënë në dispozicion, të punojë për të përmirësuar skuadrën, apo të justifikohet për gjithçka, qoftë edhe kur fiton me mundim. Sa herë që i jepet rasti, përmend se presidenti kishte të drejtë që i kishte mbaruar durimi, ndërsa tashmë ka përfshirë në ditët e rehabilitimit ndeshjen me Apoloninë pa asnjë pretendim në kupë, ku u entuziazmua shumë nga kthimi i sulmuesve, si dhe “perlën” e Korabit, ku sipas tij i mungoi vetëm fati, për ta bërë fitoren më spektakolare. Situata është bërë vërtetë qesharake dhe do të ishte shumë më mirë ta kishin “ekzekutuar” një herë e mirë, kur u nisën ta bënin një gjë të tillë, se sa tani që po vetë-ekzekutohet, çdo javë nga pak.