Skënderbeu nuk di ta mbajë kreun, Partizani kthehet në majë të Superligës

Nuk kaluan më shumë se dy javë për të ndryshuar sërish. Kreun e Superligës e mban tani Partizani, pas fitores që arriti dhe pas humbjes së papritur të Skënderbeut. Kryeqytetasit nuk e patën të lehtë, por e mbrojtën deri në fund suksesin 2-1 ndaj Kastriotit, në ndeshjen e javës së 12-të luajtur në stadiumin e Fushë Krujës.
Sulmuesi Jurgen Bardhi ishte protagonisti numër 1 i të kuqve, pasi shënoi të dy golat. Kastrioti, edhe pse luajti mirë në fushën e Skënderbeut pak ditë më parë, këtë herë nuk mundi t’i rezistonte një skuadre më superiore, pavarësisht se quhej se luante në fushën e vet.
Shkurtoi diferencën me sulmuesin Rozher po në pjesën e parë, por nuk bëri dot më shumë, madje ishte me fat që nuk pësoi gol tjetër. Partizanin e trajnerit Gega e ndihmoi padyshim fitorja e vet, por po ashtu iu dha një dorë nga Laçi.
Kurbinasit ia dolën pikërisht ndaj Skënderbeut kampion, që ishte kryesues deri këtë javë. Ndriçim Shtubina dhe Elton Gjoni ishin autorët e rrjetave për vendasit, ndërsa korçarët u ndaluan sidomos nga portieri Selmani. Një tjetër hap i gabuar për ekipin e trajnerit Orges Shehi, që kishte gabuar më parë pikërisht me Laçin apo me Tiranën, të dyja herët në Korçë, si dhe ishte mundur në Durrës.
Pas 12 javësh, Partizani kryeson Superligën me 28 pikë, ndaj 26 të Skënderbeut, ndërsa Laçi është afruar në 22. Në ndeshjen tjetër të Superligës, Teuta përmbysi Kamzën brenda në Kamzë, duke fituar 3-1.
Sfidanti.al