Kanë kaluar e janë varrosur kohët kur një lojtar europian mundej të mbahej në stol në NBA, siç i ndodhi “Moxartit” të basketbollit, Drazhen Petroviç. Sot, “malli” i Europës vlerësohet lart në anën tjetër të Atlantikut, dhe Luka Donçiç po vazhdon aty ku po e lë Dirk Novicki. Talenti i ri slloven po bën mrekulli në sezonin e tij të parë në ligën më të fortë të botës, siç e tregoi edhe në fitoren e Dallasit ndaj Uashingtonit.
Donçiç shënoi 23 pikë, kapi 6 topa në tabela, dha 3 asistë, dhe bëri 1 vjedhje topi, në 33 minuta që ishte në parket. Dallasi fitoi 119-100, duke pasur bilanc negativ (3-7), por ndikimi i djalit të ardhur nga Reali po duket, pasi bilanci në këtë moment, është më i mirë sesa ai i dy sezoneve të kaluar.
Slloveni ishte në krye të renditjes virtuale për “Debutuesin e Vitit”, renditje e vetë NBA-së, me mesataren 19.8 pikë për ndeshje, 6.5 topa në tabela dhe 4.4 asistë, ndërsa vazhdon të mos e ulë ritmin dhe nivelin. Kjo është diçka e mrekullueshme për një basketbollist ende vetëm 19 vjeç.
Sfidanti.al