Kur tallja me tifozët kthehet në tallje për klubet

Mjafton një hyrje e tifozëve në fushë që një skuadër të luajë të paktën 1 ndeshje pa spektatorë. i ndodhi në fillim të kampionatit, Skënderbeut dhe Partizanit, i ndodhi së fundi edhe Tiranës ndaj Kukësit.

Bardheblutë pritet të jenë në ndeshjen e ardhshme në shtëpi pa tifozë, pra pa ato pak lekë që mblidhen nga biletat e shitura, ndërsa duket se ky është një rreth vicioz, nga i cili asnjëra palë nuk mund të dalë.

Klubet shqiptare janë tallur shpesh me tifozët e tyre, duke bërë aleanca apo marifete të tjera që kanë ndryshuar rezultate dhe larguar spektaklin nga stadiumi. Publiku, jo vetëm që i ka braktisur hap pas hapi, aq sa në Korçë apo në Tiranë, tifozët i numëron edhe me sy të lirë, por po bën edhe demonstrime të hapura pakënaqësie.

Tifozët e Tiranës hynë në fushë në “Selman Stërmasi” duke u kërkuar lojtarëve të heqin fanelën. Më herët ata i kanë kërkuar presidentit Halili që të “heqë fanelën”, dhe me veprimin e tyre sikur hakmerren për gjithçka bëhet me ta.

Sfidanti.al