Sari nuk di se çfarë të bëjë me dy lojtarë që i dalin ..”tepër”

Trajneri italian i Çelsit, Mauricio Sari, që gjatë kësaj vere erdhi te Çelsi, me të vërtetë e ka rilindur këtë ekip londinez, pasi ky i fundit po luan shkëlqyeshëm, sikurse e tregoi edhe ndeshja e fundit e Premier Ligës (3-1) kundër Kristall Pallasit. Sari ka bërë shumë ndryshime në klubin e “Stemford Brixhit” që, mbas një kohe të gjatë, po luan përsëri futboll sulmues. Në këto kushte ky specialist italian i futbollit është mjaft i kënaqur nga futbollistët që ka dispozicion, por ka edhe nga ata që nuk i përgjigjen shijes së tij.
Sari e ka thënë hapur se janë dy futbollistë, Deni Drinkuoter dhe Viktor Mozes, që, sipas tij, nuk përshtaten me mënyrën e tij të lojës. Drinkuoteri “humbi” te Çelsi, sapo erdhi trajneri i ri, Sari, pasi minutazhi i tij i lojës u bë shumë i shkurtër, ndërkohë që e njëjta gjë i ndodhi edhe Mozesin që, kur ekipin e drejtonte Antonio Konte, ishte lojtar standard formacioni.
“Drinkuoteri nuk më përgjigjet mua si mesfushor në krahasim me dy mesfushorët e tjerë. Unë ja kam thënë atij mendimin tim. Mozesi më shumë luan si anësor sesa si mbrojtës, ndërkohë që unë për atë pozicion vendet i kam të zëna. Nuk e di, nëse këta dy lojtarë kanë të ardhme në klub”, vuri në dukje Mauricio Sari.
Sfidanti.al