Vendime:
• KF “Luftetari, për sjellje të gabuar të tifozeve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës në bazë të nenit 66/3/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshje pa spektatorënë stadiumin përkatës.
• KF “Partizani”,për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sendeve të forta brenda rrethimit të fushës se lojës dhe për paraqitje të parullave fyese dhe raciste, në bazë të nenit 66/3/a të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve pa spektatorë në fushën përkatese.
Këto janë dy vendimet e Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së, që i përkasin vetëm javës së 11-të të Kategorisë Superiore. Dy nga ndeshjet e kësaj jave, Luftëtari – Laci dhe Partizani – Kamza duhet të mbyllin dyert në bazë të nenit të famshëm: 66/3/a të KDS. Ky është neni “magjik” që mbyll dyert e një stadiumi dhe që anëtarëve të Komisionit ja kanë shkruar si taksative ta përdorin çdo javë. Nëse këtyre ndeshjeve i shtojmë Teuta – Tirana në Shijak dhe Kukësi – Flamurtari në Kamëz plotësojmë panoramën e javës që vjen dhe të gjithë mund të fillojnë të bëjnë llogaritë e tyre për tifozët shqiptarë që do të jenë në stadiume këtë fundjavë. Duhet të heqim nga lista Skënderbeu – Kastrioti, që përveç rëndësisë së ndeshjes nuk ka arsye “madhore”, për të larguar korçarët nga stadumi “Skënderbeu”…
Faktet e kësaj jave janë thjesht për “të fotografuar” Javën e 11-të, të Kategotrisë Superiore e cila rrezikon të ndiqet nga një numër “rekord” minimal tifozësh. Matematika është e thjeshtë, sepse “zerot absolute” të tifozëve në Gjirokastër e Tiranë duhet t’i mbledhësh me numrin e tifozëve emigrantë të Teutës e Tiranës në “Tofik Jashari” të Shijakut, apo të tjerë tifozëve shëtitës të Kukësit e Flamurtarit në Kamëz…
Për kë luhet ky futboll? Pse ky komision i Disiplinës mblidhet me kaq pasion për të zhdukur ndjekësit e fundit të këtij futbolli? Çfarë reaksioni kimik i shkakton FSHF-së prania në stadium e mbështetësve të këtij futbolli që mundohet javë pas jave ti “shfarrosë” me nenin 66/3/a të KDS?!
Kjo nuk mund të shfajësohet me një nen të një kodi disipline. UEFA ka kohë që nuk po përdor dënimet kolektive për ekipet e futbollit, si e si për të mos penalizuar një stadium të tërë për një veprim të papërgjegjshëm të disa individëve. Futbolli luhet për tifozët dhe nëse dikush gabon ai duhet të përgjigjet , por nuk mund të dënohet një komunitet i tërë. Para disa ditësh, në ndeshjen PAOK – Chelsea, tifozët grekë kanë shpalosur (përsëri) banderolën: “Maqedonia është Një e vetme, dhe është këtu…”
Kjo nuk ishte një banderolë e re për UEFA-n, sepse klubi grek e ka përdorur edhe sezonin e kaluar në ndeshjen kundër Schalke 04, por çfarë ka ndodhur?! Asnjë masë kolektive, asnjë penalizim me mbyllje të stadiumit të Selanikut, thjesht një gjobë e majme për klubin për një parrullë qartazi me përmbajtje politike dhe që u shpalos pikërisht ditët që qytetarët e Maqedonisë duhet të votonin për referendumin e emrit.
Por kjo është UEFA, ne kemi FSHF-në…
UEFA-n në institucionin tonë përdoret sa herë shteti vendos të kontrolloj financiarisht FSHF-në, sa herë kemi zgjedhje dhe na duhet ndonjë mbështetje, sa herë duhet ta përdorim për të trembur ndonjë “klub rebel”, por kurrë ta përdorim për t’i marrë pikërisht këto vendime që nuk i largojnë tifozët. Çdo ditë e më shumë po na dhëmbin dytë nga bardhësia e stadiumeve tona, javë pas jave po kujdesemi që të largojmë edhe ata pak fanatikë që duan të jetojnë me këto “hallet tona”…
Ky është “spektakli” i FSHF-së… Tifozët po kthehen dalëngadalë si “specie në zhdukje”, sepse institucioni ynë e ka “alergji” praninë e tyre nëpër shkallët e stadiumeve. Tifozët nuk duhen, nuk janë të denjë për të parë një “shfaqje” që vihet në skenë javë pas jave…
Të na rrojë kampionati!!! Tifozët s’kanë çna duhen…
Pano XHIXHO
Kryeredaktor i RTSH Sport