Ky nuk është më Reali, por jo të gjitha fajet i ka Lopetegi

Mbas humbjes shkatërrimtare 5-1 nga Barcelona, ishte e qartë se trajnerin e Realit të Madridit, Hulen Lopetegi, e “mori lumi”, por, sidoqoftë, fjalët e një prej futbollistëve më të mirë të Realit, Isko, që doli në mbrojtje të Lopetegit, marrin një peshë të re, sepse klubi “mbretëror” nuk humbi në “Kamp Nou” vetëm për shkak të punës së dobët të strategut 52-vjeçar spanjoll të futbollit, se fajet e tyre jo të vogla kanë edhe lojtarët.
Nuk e ka fajin Lopetegi që Rafael Varani e lejoi Luis Suarezin që ky i fundit t’ia merrte atij penalltinë në një mënyrë fare të thjeshtë.
Nuk e ka fajin Lopetegi për gabimin amatoresk të Serhio Ramosit që çoi në shënimin e golit të katërt nga Barcelona.
Nuk e ka fajin Lopetegi që Luka Modriç me mendje është tek Interi dhe vetëm me trup te Reali.
Nuk e ka fajin Lopetegi që Toni Kros është ende larg formës së tij të mirë.
Nuk e ka fajin Lopetegi që Karim Benzema nuk shënon dot nga një hap larg portës.
Nuk e ka fajin Lopetegi që Garet Bejli lëviz me shpejtësi nëpër fushë, por ama gol nuk shënon dot, duke mos e justifikuar aspak, me përjashtim të disa momenteve fare të shkurtër, çmimin prej 101 milionë eurosh, me të cilin ai është blerë.
Nuk e ka fajin Lopetegi që dikush e “përzuri” Ronaldon nga Reali…
Sfidanti.al