Tirana nuk di të fitojë, i shpëton 3-pikëshi nga duart në Kamzë

Edhe pse duket më luftarake dhe më kërkuese, sërish Tirana nuk po arrin të fitojë. Efekti i trajnerit Ardian Mema besohet se po ndihet në dëshirën për të luajtur me më shumë energji, veçse sfida e Superligës në Kamzë përfundoi vetëm barazim.

Kryeqytetasit kishin nevojë për fitore, pasi vinin nga humbja në Vlorë, veçse gjetën përballë një kundërshtar që gjithashtu nuk dëshironte të humbiste, përkundrazi. Kamza, madje luajti më mirë në pjesën e parë.

Pas pushimit ishte histori tjetër, me tiranasit që iu afruan golit tri herë radhazi, derisa më në fund e gjetën me anë të afrikanit Sentamu. Për fat të keq, pavarësisht epërsisë që patën, u desh vetë një moment pakujdesie, që gjithçka të shkonte kot. Kamza barazoi pas 6 minutash, në të 69-ën me anë të ish-lojtarit bardheblu, japonezit Fukui. Tirana e kërkoi golin edhe më pas, duke pasur dy momente shumë të mira, por nuk e gjeti më.

Pas 10 javësh kampionat, kryeqytetasit kanë 9 pikë, ndërsa Kamza mbeti sërish një pikë pas tyre, me 8.

Sfidanti.al