Gjermania është kampione aktuale botërore, kurse Portugalia është kampione në fuqi evropiane, shkruan. Ndërsa, në nivel klubesh, Real Madridi aktualisht është numër 1 në kontinentin e vjetër. Por, Albert Bunjaki nuk do ta linte përfaqësuesen e Kosovës për asnjërën prej këtyre skuadrave, apo të tjerave të nivelit të tyre.
Përkundër katër humbjeve rresht të pësuara në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”, krahas vetëm një barazimi, përfaqësuesja e Kosovës ia ka marrë zemrën dhe shpirtin seleksionuesit kosovar, i cili ka kontratë me FFK-në deri në vitin 2020.
Andaj, ai është i vendosur ta vazhdojë punën në skuadrën shtetërore të Kosovës përkundër zërave që kanë të bëjnë me ndërprerje të parakohshme të kontratës, shkaku i rezultateve negative.
Pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në kualifikimet e Botërorit sigurisht se ka tërhequr vëmendjen e skautëve të huaj për t’i përcjellë reprezentuesit tonë.
Por, shtrohet pyetja se a e ka tërhequr deri më tani Bunjaki vëmendjen e ndonjë Kombëtareje apo të ndonjë klubi të huaj.
“Normalisht që ka interesime, ka kontakte, por dua të potencoj diçka: Në këto momente nuk e lë Kosovën, qoftë edhe për Kombëtaren më të madhe në botë apo për klubin më të madh në botë”, ka deklaruar Bunjaki për gazetën “Zëri”.