Simeone tek Atletiko, si Munjoz i Realit e Fergi i Junajtidit!

Në stolin “rohiblanko” (rojiblanco) u ul në dhjetor të vitit 2011 dhe deri tani nuk është ngritur, përveçse për t’u dhënë udhëzime lojtarëve, apo për t’u përleshur si luftëtar i vërtetë që është. Atletiko e Madridit nuk mund të kuptohet pa Diego Pablo Simeonen, dhe lajmet nga Spanja janë që klubi dëshiron të rinovojë kontratën me trajnerin. Marrëveshja e tanishme vlen deri në 2020, por kohët kalojnë shpejt dhe “Atleti” dëshiron të jetë e sigurt.

Nuk dihet nëse Simeone do të pranojë, por gjithnjë ai ka qenë besnik me klubin dhe i lidhur fort me fatin e tij. Në 2020, argjentinasi do të ketë kaluar 8 sezonet e Johan Krujfit tek Barcelona, ndërsa do të mbetet përpara tij Migel Munjoz, që drejtoi Realin për 14 sezone, në periudhën 1960-1974. Synimi, besohet, është që “El Çolo” të jetë një Sër Aleks Ferguson i ri.

Sfidanti.al