Cfarë po ndodh me Nejmarin? Braziliani kërkon sërish kthimin te Barcelona

Duket se futbolli do të përjetojë një tjetër sezon të telenovelës Nejmar. sulmuesi brazilian duket se ka shfaqur sërish dëshirën e tij për t’u bashkuar me Barcelonën të cilën e la në 2017 për t’u transferuar te Paris Sën Zhermeni. Të paktën kjo është ajo që publikon e përditshmja ‘El Mundo Deportivo’, e cila nuk e ka për herë të parë që e thekson dicka të tillë.

Në artikullin e saj kjo e përditshme thekson gjithashtu se që ky rikthim i Nejmar në Camp Nou të ndodhë duhet që të ndikojnë disa faktorë. Në radhë të parë, duhet të jetë trajneri dhe stafi teknik që të kërkojë ardhjen e tij nëse e sheh të domosdoshme, në radhë të dytë duhet bindur Paris Sën Zhermeni për këtë transferim duke qenë se parizienët paguan 222 milionë euro për t’ia rrëmbyer Nejmarin Barcelonës. Dhe së fundi, duhet që Barcelona të paguajë një shumë të majme për të, gjë që në këtë moment klubi katalanas nuk ka ndërmend të bëjë.

Për më tepër Nejmar duhet të përmirësojë edhe imazhin e tij pasi një pjesë e mirë e tifozëve të kampionëve të Spanjës janë kundër kthimit të tij dhe kjo për shkak të mënyrës se si ai u largua dhe në këtë pikë përfshihet edhe denoncimi që Nejmar i bëri Barcelonës pasi kjo e fundit refuzoi t’i paguajë 26 milionë Eurot e rinovimit të kontratës.

sfidanti.al