Kroacia ishte një hit i vërtetë në kampionatin e fundit botëror që u zhvillua gjatë verës në Rusi, por një nga lojtarët e saj mbeti pa mirënjohje dhe pa medaljen e argjendtë. Sulmuesi Nikolla Kaliniç, i pakënaqur me statusin e tij, gjatë ndeshjes së parë të Botërorit refuzoi trajnerin Zllatko Daliç që të hynte në lojë si zëvendësues në fund të ndeshjes me Nigerinë, kështu që, mbas saj, ai u dërgua në shtëpi nga ana e trajnerit kroat. Sidoqoftë, tani, mbas humbjes së thellë (6-0) ndaj Spanjës dhe barazimit pa gola me Anglinë, Kaliniçi u prononcua, duke shprehur dëshirën që të kthehet në përfaqësuesen kroate.
Me këtë rast, menjëherë reagoi kapiteni Luka Modriç: “Më vjen mirë që dëgjoi se Kaliniçi dëshiron të kthehet në përfaqësuese. Ne të gjithë i njohim mirë cilësitë e tij dhe ai me siguri që do të jetë një pjesë përbërëse e rëndësishme e ekipit tonë. Por, sipas meje, ai duhet të plotësojë një kusht, të kërkojë falje. Sidoqoftë, i takon atij që të gjejë zgjidhjen më të mirë”, vuri në dukje Luka Modriç.
Kaliniçi gjatë verës u transferua nga Milani tek Atletiko e Madridit.
Sfidanti.al