Çfarë u ndodhi spanjollëve në Rusi në Ligën e Europës!?

Sevilja ishte ajo që kishte mundur 3-0 Realin vetëm pak ditë më parë. Vijarreali po ashtu është superfuqi për Ligën e Europës, por nuk qenka e lehtë për t’u kthyer me pikë nga Rusia, tashmë pas Kupës së Botës. Krasnodari dhe Spartaku i Moskës i mbrojtën “shtëpitë” e tyre nga “furitë spanjolle” duke marrë një fitore dhe një barazim.

Krasnodari mundi 2-1 Seviljen me gol në minutën e 88-të nga Otkriashvili. Skuadra ruse ishte më e mira në fushë duke goditur tri herë shtyllën me anë të Mamajevit, Kaboresë dhe Klesonit, por u ndodh në dizavantazh kur Kabore e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij në 43’. Maurisio Pereira barazoi në 72’ dhe Otkriashvili i dha fitoren rusëve, që të dy lojtarë zëvendësues.

Spartaku barazoi në Moskë me Vijarrealin 3-3, por ishte në avantazh deri në minutën e tretë shtesë. Në stadiumin e Botërorit, “Otkritie Arena”, spanjollët kaluan në 1-0 me Ekambin, Ze Luis barazoi me penallti për rusët, Fornals ktheu epërsinë për miqtë, por sërish Ze Luis dhe pastaj Lorenso Melgareho përmbysën rezultatin në 82’ e 85’. Santi Kazorla vendosi barazimin në 93’.

Më herët, Zeniti nderoi sërish Rusinë duke fituar 1-0 ndaj Sllavias së Pragës në Shën Peterburg, ndërsa në Champions, të martën, CSKA e Moskës arriti fitoren e madhe ndaj Realit, 1-0.

Sfidanti.al