Është normale se kur luani shkëlqyeshëm, mund të prisni lavdërime dhe elozhe nga katër anët. Liverpuli ndodhet në një formë të mirë këtë sezon, por trajneri i “të kuqve”, Jyrgen Klop, vazhdimisht, iu kërkon lojtarëve të vet që t’i mbajnë fort këmbët në tokë dhe që të mos fluturojnë në re, sepse është ende shumë herët për të folur për titullin e kampionit të Premier Ligës angleze.
“Sigurisht që është mirë që kundërshtarët kanë mendime të mira për neve. Kjo është diçka e mirë, por unë nuk u kushtoj shumë rendësi lavdërimeve. Po, ne kemi një ekip të mirë, kemi shpresa të mëdha, por unë nuk jam tifoz i lavdërimeve dhe i elozheve të vazhdueshme. Ne duhet t’i mbajmë këmbët fort në tokë dhe të mos fluturojmë në re”, vuri në dukje, dje, trajneri i Liverpulit që, pas 11 ndeshjeve të zhviluara, ndodhet në krye të Premier Ligës, me një pikë më shumë se Çelsi, ndërkohë që ndeshjen e ardhshme “të kuqtë” do ta luajnë në fushën e Sauthemtonit.