Dramë e përjashtim, por Spaleti mund të jetë i lumtur me Interin

Interi mesa duket mund të fitojë vetëm kështu, me gol në sekondat e fundit, dhe me polemika, madje edhe me përjashtim të trajnerit, por ka edhe diçka tjetër që e bën të lumtur Luçiano Spaletin. Ish-trajneri i Romës dhe i Zenitit, vlerësoi mënyrën sesi skuadra e tij luajti në stadiumin “Marasi” të Gjenovës.

“Skuadra bëri një ndeshje të madhe, – u shpreh ai, – nuk humbëm asnjë minutë kot në fushë, por u futëm direkt për të sulmuar dhe për të shënuar. Mentaliteti është ai i duhuri, pashë karakter dhe dëshirë të madhe”. Spaleti u përjashtua pasi festoi paksa si shumë “i çmendur” golin e shënuar nga Brozoviç në minutën e 94-ët. Pas suksesit ndaj Totenhemit, një tjetër fitore në fund fare, por interistët e kanë të qartë se nuk mund të fitohet gjithnjë kështu.

Ndaj Sampdorias pati edhe dy momente VAR-i, duke i anuluar dy gola Interit, ndoshta me të drejtë, por zikaltërit i kujtuan gjyqtarëve se ndaj Parmës, VAR-i nuk u përdor, kur ishte në favor të tyre.

Sfidanti.al